|
Arianit Sllamniku
Lidhur me procesin e pranimit të stafit akademik dhe teknik në shkollat e komunës së Gjilanit, ditë më parë, LDK kishte adresuar kritika të ashpra, duke vlerësuar se një proces i tillë nuk ka shkuar sipas ligjit. Për më tepër, kreu i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri, për këtë çështje, kishte fajësuar qeverisjen lokale, përkatësisht partinë në pushtet (PDK), por duke mos i kursyer as partnerët e saj dhe në këtë kontekst kishte përmendur edhe Partinë e Drejtësisë (PD).
Përfshirja e PD-së në listën e “fajtorëve” lidhur me këtë proces, ka prekur në “tel’ PD-në e Gjilani, e cila ka reaguar ndaj kritikave të Hazirit, duke kërkuar madje nga ai ofrimin e fakteve konkrete, në të kundërtën, kërkim falje publike, siç thonë zyrtarë të këtij subjekti, për shpifjet e bëra.
Siç ka thënë, Arianit Sllamniku, kryetar i degës së PD-së në Gjilan, me përfshirjen e matematikave të Lufti Hazirit, se kinse PD qenka aleat hipotetik i PDK-së në lidhje me punësimin në arsim, si kryetar ka ndier obligim që të kërkoj fakte ose kërkim falje për këtë shpifje. “I nderuari në fjalë ka kohë që e ka humbur Kiblen e vet, e ajo u pa se kohëve të fundit edhe në Kuvendin e Kosovës në cilësinë e deputetit, por edhe me një titull fetar, Haxhi Lufti Haziri, votoi kundër praktikave fetare të tij, por edhe besimit fetar mysliman”, është shprehur Sllamniku. Sipas tij, LDK-ja e Gjilanit tanimë po e kupton veten si opozitë, përkundër abuzimit me elektoratin e saj si dhe elektoratin i cili ndoshta pritet të kalojë nga LDD, në këtë parti me frymë kontradiktore. “Është për të ardhur keq që periudha e qeverisjes së Gjilanit nga LDK ka sjell edhe deri tek trashëgimia e mësimeve të këqija edhe në qeverisjet pasuese”, ka thënë Sllamniku. Sipas i tij, copëtuesi i tokave të komunës së Gjilanit apo qeverisja e LDK-së, mund të mburren vetëm se arritën që tokat e komunës së Gjilanit t’ia falin komunave tjera apo edhe në kurriz të tokave të copëtuara nga iniciativa e Lutfi Hazirit erdhi edhe te krijimi i komunave të reja. “Mjerimi politik, hipokrizia si dhe dyfytyrësia politike në partitë që kanë qeverisur komunën tonë detyrimisht po e merr shpërblimin e duhur me mospërkrahjen e qytetareve”, shprehet Sllamniku. Siç thotë ai, LDK-së nuk i ka faj qyteti e as qytetarët e saj, por politikbërja e vet e cila gradualisht dhe në heshtje po perëndon, përveç pritjeve entuziaste të saj se anëtarët e LDD-së do të kalojnë në LDK, e që do të ishte vetëvrasje politike për ta.
|