Statuti i PD-së

Kuvendi i VII-të zgjedhor i PD-së me 11.12.2011 miratoi ndryshimet dhe plotësimet e dispozitave të Statutit të PD-së, dhe nxjerri:

Statuti i Partisë së Drejtësisë

Kapitulli I

Dispozitat e përgjithshme

Neni 1

Partia e Drejtësisë (në tekstin e mëtejmë, PD) është parti politike demokratike, parimet, qëllimi, organizimi dhe aktivitetet e së cilës janë të përcaktuara me Program dhe Statut.

Neni 2

Selia e PD-së është në Prishtinë.

Vula e PD-së ka formën e rrumbullakët dhe përmban: logon dhe tekstin: Partia e Drejtësisë – 1999

Vula e PD-së nuk mund të përdoret veçse në dokumente e shkresa që mbajnë nënshkrimin e kryetarit, të nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të PD-së.

PD ka emblemën, përmbajtjen e së cilës e përcakton Kuvendi i PD-së, me vendim të posaçëm.

Neni 3

Njësi themelore organizative e PD-së janë degët.

Degët e PD-së kanë vulë me formë të rrumbullakët, që përmban: logon dhe tekstin: Partia e Drejtësisë 1999 – Dega në (qyteti përkatës).

Vula e degëve të PD-së mund të përdoret vetëm krahas nënshkrimit të Kryetarit të degës, Nënkryetarit të degës ose Sekretarit të degës.

Neni 4

Strukturat përbërëse funksionale të PD-së janë Vizioni i Gruas dhe Vizioni Rinor.

“Vizioni i Rinisë dhe Vizioni i Gruas janë struktura funksionale të PD-së në nivelin qendror dhe lokal, që veprojnë në bazë të Rregulloreve të punës, të miratuara nga Kryesia e PD-së”.

Kapitulli II

Anëtarësimi dhe anëtarësia në PD

Neni 5

Anëtar i PD-së mund të bëhet çdo qytetar me të drejtë vote dhe aftësi veprimi, i cili pranon Programin dhe Statutin e PD-së. Anëtarësimi bëhet nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit dhe nënshkrimit të fletë anëtarësimit.

Neni 6

Fletë anëtarësimet merren në nëndegët dhe degët e PD-së.

Evidenca e anëtarësisë në nëndegë dhe degë është bazë për

formimin e evidencës unike në PD.

Regjistri qendror i anëtarëve të PD-së udhëhiqet nga shërbimi administrativ. Anëtarëve të PD-së u jepet libreza e anëtarësisë. Pamjen dhe përmbajtjen e librezës së anëtarësisë e përcakton Këshilli Drejtues i PD-së.

Neni 7

Nuk mund të jenë apo të bëhen anëtarë të PD-së personat, që janë:

- anëtarë të ndonjë partie tjetër;

- punonjës të institucioneve që u ndalohet me ligj anëtarësimi në parti politike;

- të njohur për veprimtari antikombëtare, amorale dhe antisociale.

Neni 8

Pranimi në PD bëhet në bazë të kërkesës vullnetare individuale, duke plotësuar formularin përkatës, të miratuar nga Këshilli Drejtues i PD-së.

Neni 9

Fletëparaqitja shqyrtohet e miratohet në nëndegën ose degën përkatëse të PD-së. Për pranim njoftohet Kryesia e Degës, që ka të drejtë ta anulojë vendimin e nëndegës dhe ta rishqyrtojë atë në rast se është në kundërshtim me këtë Statut.

Neni 10

Libreza e anëtarësimit në PD lëshohet nga kryesia e degës ose nëndegës.

Neni 11

Anëtari ka të drejtë të largohet nga PD-ja në çdo kohë, pa dhënë shpjegim. Në këtë rast ai[1] e ka për obligim moral ta dorëzojë librezën e anëtarësisë në nëndegë ose në kryesinë e degës. Anëtari i larguar (apo i përjashtuar) çregjistrohet nga të gjitha regjistrat e anëtarësisë. Ripranimi nuk mund të bëhet pa miratimin e Kryesisë së Këshillit Drejtues të PD-së (në tekstin e mëtejmë, Kryesia e PD-së), në bazë të propozimit të Gjykatës së Nderit.

Neni 12

Anëtari i PD-së mund të kalojë nga një nëndegë në tjetrën ose nga një degë në tjetrën, kur ndërron vendbanimin ose për arsye që i çmon kryesia e degës ose Kryesia e PD-së, nëpërmjet çregjistrimeve dhe regjistrimeve përkatëse partiake.

Neni 13

Anëtarësia në PD ndërpritet në rastet, si vijon:

- tërheqja me kërkesë personale;

- përjashtimi nga PD-ja dhe

- vdekja.

Neni 14

Anëtari mund të përjashtohet nga PD-ja, në rastet kur:

- shkel me dashje programin ose statutin dhe/ose cenon interesat e PD-së;

- vërtetohet se ka mashtruar për të fshehur rrethanat që e pengonin të ishte anëtar i PD-së, sipas dispozitave të këtij Statuti;

- kryen vepra penale ose veprime që e dëmtojnë rëndë punën

- dhe imazhin e PD-së.

Neni 15

Vendimin për përjashtimin nga PD-ja e nxjerr kryesia e nëndegës ose kryesia e degës (në rast të mosekzistimit të nëndegës). Para nxjerrjes së vendimit, anëtarit të PD-së, kundër të cilit zhvillohet procedura, duhet t’i mundësohet që t’i arsyetojë qëndrimet e veta dhe të japë provat e nevojshme. Procedurën për përjashtim mund ta iniciojë edhe Kryesia e PD-së.

Kundër vendimit për përjashtim mund të kryhet ankesa në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit, para Gjykatës së nderit të PD-së.

Vendimi i Gjykatës së nderit është përfundimtar.

Kapitulli III

Të drejtat dhe detyrat e anëtarit

Neni 16

Të drejtat e anëtarit të PD-së janë:

- të marrë pjesë dhe të vendosë për të gjitha çështjet me rëndësi për PD-në, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.

- të zgjedhë apo të zgjidhet në organet e PD-së,

- të informohet mbi gjendjen dhe aktivitetet e PD-së dhe organeve të saj.

- të parashtrojë iniciativa dhe propozime përkitazi me punën e PD-së dhe çështjet aktuale shoqërore të cilat kërkojnë angazhimin e PD-së.

Neni 17

Detyrat e anëtarit të PD-së janë:

- të veprojë në harmoni me programin, statutin dhe aktet e tjera normative të PD-së;

- të angazhohet në mënyrë aktive për realizimin e qëllimeve politike të PD-së;

- t’i përfaqësojë në mënyrë dinjitoze përcaktimet programore dhe qëndrimet e organeve partiake në institucionet e sistemit politik dhe shtetëror;

- të paguajë anëtarësinë (nëse është e përcaktuar);

- të zbatojë vendimet e organeve partiake;

- të ruajë dhe të ngrejë prestigjin e PD-së.

Neni 18

Këshilli Drejtues i Partisë në propozim të Kryesisë së Partisë nxjerr Kodin Etik të Partisë.

Anëtarët e PD’së janë të obliguar të respektojnë në përpikmëri Kodin Etik të Partisë.

Masat diciplinore për shkeljen  e Kodit Etik përcaktohen në vetë Kodin Etik.

Neni 19

Këshilli Drejtues i Partisë në propozim të Kryetarit, vendos për dhënien e titullit të nderit “Anëtar Nderi i PD’së” për personalitetet me kontribut të veçantë kombëtar apo partiak pas dhënies së pëlqimit nga ana e tij.

Kapitulli i IV

Organizimi i brendshëm

Neni 20

PD organizohet në baza territoriale në: aktive, nëndegë, degë dhe në organe qendrore.

Neni 21

Aktivet dhe nëndegët formohen në fshatra, komuna, lagje ose qytete. Nëse numri i anëtarëve është më i madh atëherë formohen edhe degët.

Neni 22

Aktivet e PD-së formohen me 5 (pesë) ose më shumë anëtarë. Kur në aktive anëtarësohen mbi pesëdhjetë (50) anëtarë, atëherë plotësohen kushtet për formimin e nëndegës.

Neni 23

Formimin e nëndegëve e bën kryesia e degës. Organi më i lartë i nëndegës së PD-së është Kuvendi. Mandati i Kuvendit të nëndegës është tre (3) vjet. Kuvendi mblidhet për të zgjedhur Kryetarin e nëndegës, Kryesinë e nëndegës dhe kandidatët për Kuvendin e degës. Kuvendi i nëndegës mund të mblidhet edhe sipas nevojës ose me vendim të posaçëm të  Kryesisë së degës. Kuvendi konsiderohet legjitim kur në të marrin pjesë më shumë se 20 delegatë.

Kryesia e nëndegës mund të ketë: 7 (shtatë) deri 19 (nëntëmbëdhjetë) anëtarë (në numër tek), përfshirë kryetarin dhe 3 (tre) nënkryetar prej të cilëve një është për çështje rinore dhe një për çështje të gruas. Kryesia e nëndegës mblidhet periodikisht sipas kushteve dhe rrethanave së paku 1 (një) herë në muaj. Në mbledhjet e Kryesisë së nëndegës kanë të drejtë të marrin pjesë, pa të drejtë vote, anëtarët e Kryesisë së degës.

Mbledhjet e Kryesisë së nëndegës drejtohen nga kryetari, nënkryetari ose anëtari i Kryesisë i përcaktuar nga Kryetari. Vendimet e mbledhjes janë të vlefshme kur për to voton shumica e thjeshtë e kuorumit prezent të anëtarëve të Kryesisë së nëndegës. Në rast të votave të barabarta vota e Kryetarit të nëndegës ka vlerë të dyfishtë.

Neni 24

Njësia kryesore organizative e PD’së është dega. Dega organizohet në çdo komunë të Kosovës. Në kushtet e veçanta, në qendrat e rëndësishme urbane dhe në qendrat me specifika të veçanta, mund të themelohen më shumë se një degë. Komisionet nismëtare për formimin e degëve i miraton Kryesia e PD’së. Miratimin përfundimtar të themelimit të degës e bën Këshilli Drejtues.

Neni 25

PD-ja mund të zhvillojë mardhënie të ngushta me shoqatat dhe klubet e bashkëatdhetarëve në mërgat, të cilat mbështesin Programin e PD’së.

Neni 26

Organi më i lartë i degës është Kuvendi.

Kuvendi zgjedhor i degës mblidhet çdo dy (2) vite. Kuvendi mblidhet çdo vit, në mbledhje të rregullt për shqyrtimin e punës njëvjeçare të degës. Sipas nevojës mund të thirret edhe Kuvendi i jashtëzakonshëm, me vendim të Kryesisë së PD-së, ose Kryesisë së degës.

Numri i anëtarëve të Kuvendit të degës nuk mund të jetë më i vogël se pesëdhjetë anëtarë.

Me rastin e përcaktimit të listës së anëtarëve të Kuvendit të degës, çdo nëndegë duhet të sigurojë që 30% e anëtarëve të jenë femra.

Kuvendi i degës mund ta fillojë mbledhjen pas vërtetimit të kuorumit që e paraqet shumica e thjeshtë e anëtarëve të Kuvendit.

Në fillim të mbledhjes duhet të aprovohet rendi i ditës me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm, me mandat të verifikuar.

Vendimet e Kuvendit të degës janë të vlefshme kur për to votojnë me shumë se gjysma e anëtarëve të tij, nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë Statut.

Puna e Kuvendit të degës përcaktohet me këtë Statut dhe Rregulloren e punës.

Neni 27

Veprimtarinë e degës midis dy Kuvendeve e drejton Kryetari dhe Kryesia me mandat trevjeçar.

Kryesia e degës përbëhet prej 19 (nëntëmbëdhjet) anëtarëve: 6 ( gjashtë ) anëtarë femra dhe preferohet 6 ( gjashtë ) anëtarë të rinj nën moshën 28 vjeçare (prej të cilëve 2  të jenë femra).

Kryesia e degës zgjedh nga radhët e veta me propozim të Kryetarit të degës: 6 ( gjashtë) nënkryetarë dhe 1 (një) sekretar administrativ. Një nënkryetar është për shtrirje, një nënkryetar për zhvillim dhe hulumtim, një nënkryetar për cështje administrative dhe financiare, një nënkryetar për çështje sociale, një nënkryetar për çështje të gruas dhe një nënkryetar për çështje rinore. Kryesia e degës ka të drejtë që të kooptojë në radhët e saja 6 ( gjashtë ) anëtarë të tjerë, në pajtim me interesat madhore të partisë.

Kryetarin e degës e zgjedhë Kuvendi i degës me shumicën e thjeshtë të votave.

Anëtarë të Kryesisë së degës sipas funksionit janë kryetarët e nëndegëve ekzistuese në ditën e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor. Kryetarët e nëndegëve që formohen ndërmjet kuvendeve zgjedhore të degës marrin pjesë në mbledhjet e kryesisë së degës pa të drejtë të votës

Kryesia drejtohet nga Kryetari i Degës e në mungesë të tij nga Nënkryetari apo kryesuesi i propozuar nga Kryetari apo Kryesia. Kryesia e degës mban mbledhje së paku një (1) herë në muaj.

Vendimet e mbledhjes janë të vlefshme kur për to votojnë shumica e thjeshtë e numrit prezent të anëtarëve të Kryesisë së degës. Në rast të votave të barabarta, vota e Kryetarit të degës ka vlerë të dyfishtë. Në këto mbledhje mund të marrin pjesë, pa të drejtë vote, anëtarët e Kryesisë së PD-së. Puna e Kryesisë së Degës zbatohet në bazë të këtij Statuti dhe Rregullores së punës, të miratuar në Kryesinë e Degës.

Neni 28

Organet qendrore të PD-së janë :

- Kuvendi;

- Kryetari;

- Këshilli Drejtues;

- Kryesia e Këshillit Drejtues (në tekstin e mëtejmë, Kryesia e PD-së);

- Gjashtë (6) nënkryetarë;

- Sekretari Administrativ.

Përgjegjës për deklarata zyrtare është Zëdhënësi i PD-së, i zgjedhur nga Kryesia e PD-së.

Neni 29

Organi më i lartë i PD-së është Kuvendi.

Kuvendi mblidhet çdo vit, në mbledhje të rregullt për shqyrtimin e veprimtarisë së punës njëvjeçare. Çdo tre (3) vite mblidhet Kuvendi zgjedhor. Sipas nevojës mund të thirren edhe Kuvende të jashtëzakonshme, me vendim të Këshillit Drejtues.

Numri i anëtarëve të Kuvendit përcaktohet nga Këshilli Drejtues, sipas përpjesëtimit të mbështetur në përqindjen e votave në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, sipas degëve.

Çdo degë duhet të sigurojë që në listën e anëtarëve të Kuvendit, 30% të jenë femra dhe së paku 40% të rinj nga numri i gjithmbarshëm i anëtarëve.

Kryetari dhe Kryesia janë anëtar të Kuvendit, sipas pozitës.

Kuvendi mund ta fillojë mbledhjen pas vërtetimit të kuorumit që e paraqet shumica e thjeshtë e anëtarëve. Në fillim të mbledhjes duhet të aprovohet rendi i ditës me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm me mandat të verifikuar. Vendimet e Kuvendit janë të vlefshme kur për to votojnë me shumë se gjysma e anëtarëve, nëse me Statut nuk është përcaktuar ndryshe. Puna e Kuvendit përcaktohet me Statut.

Neni 30

Kuvendi:

- aprovon Programin;

- aprovon Statutin;

- shqyrton dhe vlerëson punën e PD-së dhe organeve të saj (raportin mbi punën e: Kryesisë, Këshillit Drejtues, Gjykatës së nderit, Komisionit mbikëqyrës të Statutit dhe Komisionit të kontrollit financiar), si dhe merr vendime përkatëse.

- zgjedh Kryetarin e PD-së;

- zgjedh Këshillin Drejtues;

- zgjedh Komisionin mbikëqyrës të Statutit dhe Komisionin e kontrollit financiar,

- zgjedh Gjykatën e Nderit.

Programi dhe Statuti i PD-së, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e tyre, bëhen me aprovimin e 2/3 të anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Kuvendit.

Neni 31

Veprimtaria e PD-së, në periudhën midis dy Kuvendeve, drejtohet nga Kryetari, Këshilli Drejtues, dhe Kryesia e PD-së.

Neni 32

Kryetari udhëheq dhe përfaqëson PD-në, në pajtim me programin dhe statutin.

Kryetari zgjidhet nga Kuvendi.

Mandati i Kryetarit është tre (3) vjet.

Kryetari aktual ka të drejtën e rizgjedhjes.

Për Kryetar mund të kandidojë çdo anëtar i PD-së.

Kandidatura me shkrim, programi zgjedhor dhe lista me nënshkrimet e së paku 1/3 së anëtarëve të Kuvendit Zgjedhor (me të cilën përkrahet kandidatura për Kryetar), duhet të dorëzohet në Këshillin Drejtues, së paku një (1) muaj para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor.

Kryetari aktual duhet të parashtrojë në Këshillin Drejtues kandidaturën me shkrim dhe programin zgjedhor.

Në situatën kur ka më shumë se një kandidat, votimi për Kryetar është i fshehtë. Nëse ekziston vetëm një kandidat votohet sipas përcaktimit të Kuvendit.

Neni 33

Këshillin Drejtues e zgjedh Kuvendi zgjedhor. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës në periudhën midis dy Kuvendeve.

Këshilli Drejtues ka 1/3 e anëtarëve të Kuvendit. Anëtarë të Këshillit Drejtues, sipas funksionit janë: Kryesia nga mandati i kaluar, kryetarët e degëve. Pjesa e mbetur e anëtarëve të Këshillit Drejtues zgjidhen nga Kuvendi, duke siguruar përfaqësimin përpjesëtimor të degëve në Kosovë, sipas parimeve nga neni 26 i këtij Statuti, përfshirë sigurimin e strukturës përkatëse gjinore dhe moshore.

Çdo ndryshim i Kryesisë së PD-së dhe Kryetarëve të degëve pasqyrohet në përbërjen e Këshillit Drejtues.

Këshilli Drejtues, në mbledhjen e parë zgjedh nga radhët e veta Kryesin e PD-së gjashtë (6) nënkryetarët si dhe Sekretarin Administrativ , në propozim të Kryetarit. Nënkryetarët zgjedhen për lëmitë, si vijon: marrëdhënie ndërkombëtare, çështjet për zhvillim dhe hulumtim, çështjet sociale, çështjet administrative dhe financiare, çështjet e rinisë dhe çështjet e gruas.

Këshilli Drejtues ka të drejtë të bëjë zëvendësimin e anëtarëve të tij që vijnë nga degët, në propozim të Kryesisë së degës, pas miratimit nga Kryesia e PD-së.

Mbledhja mund të fillojë pas vërtetimit të kuorumit që e përbën më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të Këshillit Drejtues. Vendimet janë të vlefshme kur për to ka votuar shumica e thjeshtë e numrit të anëtarëve prezent. Punimet e Këshillit Drejtues drejtohen nga Kryetari, nënkryetarët ose anëtari i Kryesisë së PD-së i përcaktuar nga Kryetari. Me rastin e votimit në Këshillin Drejtues, në rastin e votave të barabarta, vota e Kryetarit ka vlerë të dyfishtë. Këshilli mblidhet së paku dy (2) herë në vit; puna e tij zbatohet në bazë të rregullores së punës të miratuar nga Këshilli Drejtues.

Neni 34

Kryesia e PD’së përbëhet prej 29 (njëzetenëntë) anëtarëve: 8 ( tetë) anëtarë femra dhe preferohet 8 ( tetë) të rinj nën moshën 28 vjeçare ( prej të cilëve 3, të jenë femra). Anëtarë të Kryesisë së PD-së sipas funksionit janë: Kryetari, Kryetari nga mandati i kaluar, nënkryetarët (6), dhe Sekretari administrativ. Kryesia e PD’së ka të drejtë që të kooptojë në radhët e e saja edhe 6 (gjashtë) anëtarë të tjerë pas miratimit të Këshillit Drejtues, në pajtim me interesat madhore të Partisë.

Kryesia e PD-së drejtohet nga Kryetari e në mungesë të tij nga nënkryetari apo kryesuesi i propozuar nga Kryetari apo Kryesia. Kryesia bën mbledhje të rregullta, jo me rrallë se një (1) herë në muaj. Vendimet e mbledhjes janë të vlefshme kur për to votojnë shumica e thjeshtë e numrit prezent të anëtarëve të Kryesisë. Në rast të votave të barabarta vota e Kryetarit ka vlerë të dyfishtë.

Mbledhja e Kryesisë së PD-së mund të fillojë pas vërtetimit të prezencës së gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Vendimet janë të vlefshme kur për to ka votuar shumica e thjeshtë e numrit të anëtarëve prezent.

Kryesia e PD-së udhëheq punën midis dy mbledhjeve të Këshillit Drejtues dhe raporton për punën e bërë. Ajo vepron si organ kolegjial në përcaktimin e qëndrimeve dhe marrjen e vendimeve dhe kujdeset për funksionimin unik të PD-së, në bazë të Programit dhe Statutit. Kryesia e PD-së kërkon nga degët informacione të rregullta, së paku një (1) herë në muaj ose kur ajo e sheh të arsyeshme. Kryesia e PD-së mban mbledhje ose të jashtëzakonshme me kërkesë të Kryetarit, apo 2/3 të anëtarëve të saj.

Kryesia e PD-së zbaton punën e saj në pajtim me rregulloren e veçantë të punës.

Neni 35

Nënkryetarët janë të ngarkuar të organizojnë punën e Kryesisë së PD-së dhe të realizojnë vendimet e Këshillit Drejtues në lëmenjtë specifike të fushëveprimit, në koordinim dhe nën mbikëqyrjen e Kryetarit.

Nënkryetari për çështje të rinisë është udhëheqës i Vizionit të Rinisë të PD-së; dhe Nënkryetarja për çështje të gruas është udhëheqëse e Vizionit të Gruas të PD-së.

Neni 36

Të drejtat dhe përgjegjësit e nënkryetarëve:

1. Përfaqësojnë PD’në në sferën përkatëse të fushëveprimit;

2. Organizojnë aktivitet e PD’së në sferën përkatëse të fushëveprimit;

3. Inicojnë themelimin e grupeve të punës për sferën përkatëse të fushëveprimit;

4. Përgatisin raporte për Kryesinë e PD’së çdo gjashtë muaj.

Të drejtat dhe detyrimet e tjera specifike për nënkryetarët përcaktohen me akte të përgjithshme të Kryesisë.

Neni 37

Sekretari administrativ është përgjegjegjës për:

1. Organizimin e mbledhjeve të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues,

2. Organizimin dhe funksionimin e punës së administratës së PD’së,

3. Informimin e Këshillit Drejtues për veprimtarinë politike të Kryesisë së Partisë,

4. Informimin e degëve për tërë veprimtarin politike të organeve qëndrore të Partisë,

5. Menaxhimin ditor të financave dhe

5. Përgatit raporte për Kryesin e PD’së çdo gjashtë muaj.

Të drejtat dhe detyrimet e tjera specifike për sekretarin administrativ përcaktohen me akte të përgjithshme të Kryesisë.

Neni 38

PD-në, si person juridik, mund ta përfaqësojnë: Kryetari, nënkryetarët, Sekretari i përgjithshëm, dhe personi i autorizuar nga Kryetari i PD-së.

Neni 39

Komisioni për Mbikëqyrje dhe zbatim të Statutit përbëhet prej tre (3) anëtarëve. Detyra e Komisionit është evidentimi i shkeljeve të Statutit; formulimi i raporteve me vërejtje dhe rekomandime për Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e PD-së, si dhe paraqitja e raportit në Kuvend. Anëtarët e tij, që nuk janë anëtarë të Këshillit drejtues, mund të marrin pjesë në mbledhje pa të drejtë vote. Komisioni zgjedh kryetarin nga radhët e tij.

Neni 40

Gjykata e Nderit zgjidh ankesat që janë parashtruar në vendimet mbi shqiptimin e masave disiplinore ndaj anëtarëve të PD-së dhe organeve të saj, si dhe rastet e tjera që janë përcaktuar me Statut dhe aktet e tjera të përgjithshme të PD-së.

Gjykata përbëhet prej nëntë (9) anëtarëve: Kryetarit, Nënkryetarit dhe shtatë (7) anëtarëve të tjerë.

Gjykata punon në formë të kolegjit të përbërë prej 3 anëtarëve duke përfshirë edhe Kryetarin e Gjykatës.

Përbërjen e kolegjit “për çdo rast” e cakton Kryetari i Gjykatës së Nderit.

Në procedurën para Gjykatës së nderit, zbatohen dispozitat e akteve të përgjithshme të cilat rregullojnë vërtetimin e përgjegjësive (p.sh. procedura disiplinore).

Neni 41

Kuvendi zgjedh Komisionin për Mbikëqyrje të Veprimtarisë Financiare, të përbërë prej tre (3) anëtarëve. Për shkeljet që vëren, Komisioni informon Kryesinë e PD-së dhe Këshillin Drejtues, duke propozuar masa për rregullimin e gjendjes. Kryesia e PD-së është e detyruar që t’i shqyrtojë raportet e Komisionit, të marrë masa dhe, përkitazi me to, të raportojë në Këshillin Drejtues.

Neni 42

Pranë Kryesisë së PD-së mund të formohen grupe pune dhe komisione të përhershme ose ad hoc për çështje të caktuara. Këto grupe punuese përgatisin materiale pune që shërbejnë për analiza e vendime nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia e tij. Grupe pune mund të formojnë edhe kryesitë e degëve.

Kapitulli V

Funksionimi i brendshëm

Neni 43

PD-ja i shton radhët e veta dhe i forcon strukturat e saj partiake mbi bazën e vullnetit të lirë të anëtarëve të saj, që shprehet nëpërmjet zbatimit të parimit të zgjedhshmërisë së plotë dhe votimit të lirë. Çdo anëtar ose përfaqësues i deleguar në një forum nga një strukturë organizative e partisë ka një votë dhe të gjitha votat janë të barasvlershme.

Neni 44

Kandidatura për Kryetar të PD-së zbatohet sipas dispozitave të nenit 29 të këtij Statuti.

Kandidaturat për kryetarin e nëndegës dhe kryetarin e degës mund të paraqiten si vijon:

- Një kandidat nga kryesitë përkatëse, të nëndegës ose të degës;

- Kandidaturën mund ta paraqesë çdo anëtar i PD-së që siguron, së paku një (1) muaj para Kuvendit përkatës, mbështetjen e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit të nëndegës, apo të 1/3 së anëtarëve të Kuvendit të degës;

- Kryetarët e mëparshëm, në të dy nivelet, kanë të drejtën e rizgjedhjes.

Neni 45

Kandidaturat për Kryesi të nëndegës propozohen në mbledhjen e Kuvendit të nëndegës.

Neni 46

Kandidaturat për Kryesi të degës propozohen në mbledhjen e

Kuvendit të degës.

Neni 47

Për çdo kandidaturë mund të ketë më shumë se një (1) kandidat të propozuar.

Neni 48

Çdo degë mund t’i propozojë Kryesisë së PD-së të përfshijë në listën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës nga dega përkatëse aq kandidatë sa është numri i deputetëve aktualë të asaj dege ose edhe më shumë.

Kryesia e PD-së ka të drejtë të refuzojë kandidaturën për deputet të paraqitur nga dega, ndërsa për ta zëvendësuar atë duhet të marrë paraprakisht pëlqimin e degës. Në rast të mosmarrëveshjes sipas paragrafit paraprak, vendos Këshilli Drejtues.

Kryesia e PD-së e përpilon listën e kandidatëve për deputet dhe, me vërejtjet e sugjerimet përkatëse, ia paraqet Këshillit Drejtues. Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:

- mbështetjen me shkrim nga Kryesia e Degës ku e ka zhvilluar aktivitetin e tij;

- mbështetjen me shkrim nga Kryesia e PD-së;

- mbështetjen me shkrim të 1/3 (një të tretës) së anëtarëve të Kuvendit.

Për kandidaturat vendos Këshilli Drejtues me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm.

Neni 49

Kandidaturat për këshilltar në Asamblenë komunale dhe për Kryetar komune përcaktohen nga Kryesia e degës në konsultim me Kryesinë e PD-së.

Neni 50

Në procesin e nxjerrjes së vendimeve nga organi përkatës, votimi bëhet me vota të hapura, nëse organi përkatës nuk vendos ndryshe.

Vendimi aprovohet me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Për zgjedhjen e nënkryetarëve të PD-së, kryetarëve dhe nënkryetarëve të degëve e nëndegëve, votimi është i fshehtë në çdo situatë ku ka më shumë se një (1) kandidat. Nëse ekziston vetëm një (1) kandidat, organi përkatës mund të vendos që votimi të jetë i hapur, me 2/3 e votave të pranishmëve.

Neni 51

Para se të fillojë votimi, zgjidhet komisioni zgjedhor prej pesë (5) anëtarësh i cili ka për detyrë të bëjë numërimin e delegatëve të pranishëm dhe të informojë për këtë organin përkatës. Kryetari i Komisionit zgjidhet nga anëtarët e Komisionit.

Komisioni merr në dorëzim, me procesverbal, fletëvotimet nga sekretaria e Kuvendit ose Kryesia përkatëse. Fletëvotimet duhet të jenë të nënshkruara nga kryetari i komisionit dhe të vulosura. Ato i jepen çdo delegati të Kuvendit zgjedhor në të gjitha nivelet, duke bërë shënimin në listën përkatëse.

Komisioni bën hapjen e kutisë së votimit dhe numërimin e votave në sallën e mbledhjes, ku mund të jenë të pranishëm edhe votuesit, pa e penguar punën e komisionit.

Komisioni mban procesverbalin mbi numërimin e votave dhe kryetari i komisionit komunikon rezultatin e zgjedhjeve.

Anëtarët e komisionit zgjedhor nuk mund të propozohen në listën e

kandidatëve.

Komisioni i dorëzon dokumentet e votimit, me procesverbal, në kryesinë përkatëse të punës. Ato ruhen në arkivin e PD-së sipas afateve të përcaktuara nga Kryesia e PD-së.

Neni 52

Iniciativa për koalicion me ndonjë parti tjetër, në zgjedhjet e nivelit qendror, mund të merret nga Kryesia e PD-së. Këshilli Drejtues vendos për miratimin apo refuzimin e iniciativës me 2/3 e votave, të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Iniciativa për koalicion me ndonjë parti tjetër, në zgjedhjet e nivelit lokal, mund të merret nga Kryesia e degës. Kryesia e PD-së vendos për miratimin apo refuzimin e iniciativës me 2/3 e votave, të anëtarëve të pranishëm në mbledhje”.

Iniciativa për bashkim me ndonjë parti tjetër mund të ndërmerret nga Kryesia e PD-së. Për bashkimin me ndonjë parti tjetër vendos Kuvendi me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm.

Kapitulli VI

Respektimi i disiplinës

Neni 53

Demokracia e brendshme në PD realizohet brenda suazave të disiplinës së domosdoshme partiake.

Neni 54

Parimi themelor i disiplinës në PD është zbatimi me rreptësi i kërkesave të Programit, Statutit dhe Kodit Etik të Partisë,  krahas respektimit të diversitetit dhe shprehjes së lirë të mendimit.

Neni 55

Mendimet e shprehura, të mbrojtura lirisht, mund të çojnë në kristalizimin e alternativave për mbështetjen e të cilave mund të veprojnë përkohësisht fraksione të ndryshme, që nuk kanë për qëllim përçarjen dhe shpërbërjen e PD-së, apo ndryshimin e themeleve ideore dhe organizative mbi të cilat ajo është krijuar. Këto forma të demokracisë së brendshme në PD janë të lejueshme deri në momentin kur grupet ose individët që mbrojnë një alternativë të ndryshme nga shumica, nuk fillojnë të veprojnë në bashkëpunim me individë, parti ose organe, që duan ta dëmtojnë PD-në.

Neni 56

PD mbështet respektimin e shkallës së domosdoshme të hierarkisë partiake.

Vendimet e Kuvendit janë të detyrueshme për kuvendet e degëve, kuvendet e nëndegëve dhe mbarë anëtarësinë e PD-së.

Neni 57

Çdo njësi e PD-së vepron brenda kompetencave të saj, duke pasur parasysh interesat dhe politikën e përgjithshme të PD-së, si dhe vendimet e udhëzimet e organeve më të larta.

Neni 58

Për ruajtjen e funksionimit statutor të PD-së dhe për mbrojtjen e tij mund të zbatohen masa disiplinore partiake.

Masat disiplinore janë: vërejtja, parapërjashtimi dhe përjashtimi. Çështjen e përjashtimit të anëtarit të PD-së e shqyrton, me nismën e vet, nëndega, dega ose kjo mund të bëhet me sugjerimin e organeve më të larta. Vendimi për përjashtimin e një anëtari konsiderohet i miratuar atëherë kur atë e ka miratuar Kryesia e nëndegës apo Kryesia e Degës.

I ndëshkuari për masën e shqiptuar disiplinore mund të bëjë ankesë brenda një muaji (30 ditësh) pranë Gjykatës së Nderit.

Vendimi i Gjykatës së Nderit është përfundimtar.

Neni 59

Anëtarët e PD-së, që kanë detyra drejtuese, mund të pezullohen e të shkarkohen nga detyrat e tyre, për shkelje të disiplinës.

Kryetarin dhe anëtarin e kryesisë së aktivit mund ta pezullojë kryesia e nëndegës deri në mbledhjen e radhës së aktivit, në të cilën do të shqyrtohet shkarkimi.

Kryetarin dhe anëtarin e Kryesisë së degës mund ta pezullojë Kryesia e PD-së, deri në mbledhjen e Kuvendit të degës, në të cilën do të shqyrtohet shkarkimi i tyre.

Për Kryetarin mund të merret si masë disiplinore vetëm shkarkimi në Kuvendin e jashtëzakonshëm. Vendimi për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm duhet të merret nga Këshilli Drejtues, me 2/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij. Propozimin për të marrë një vendim të tillë në Këshillin Drejtues mund ta bëjë Kryesia e PD-së, kur për këtë kanë votuar 3/4 e anëtarëve të saj. Vetë Kryesia mund të marrë në shqyrtim këtë çështje kur këtë e kërkon shumica e thjeshtë e anëtarëve të saj, ose kur kërkesa mbështetet nga më shumë se gjysma e degëve të PD-së.

Për anëtarin dhe nënkryetarin e Kryesisë së PD-së mund të merret vetëm masa disiplinore: shkarkim nga Këshilli Drejtues i PD-së. Propozimin për një masë të tillë e bën Kryetari; vendimi për ta paraqitur propozimin në Këshillin Drejtues duhet të merret me 2/3 e votave të anëtarëve të Kryesisë. Këshilli Drejtues mund ta marrë vendimin për shkarkimin e anëtarit të Kryesisë, kur për këta kanë votuar 2/3 e numrit të anëtarëve të Kryesisë së PD-së.

Kur Këshilli Drejtues i PD’së vendos për pezullimin e Kryetarit të degës për shkak të shkeljeve statutore, obligohet dega përkatëse që të filloj menjëher procedurën e organizimit të Kuvendit për shkarkimin e kryetarit aktual të saj. Në të kundërtën Këshilli Drejtues me 2/3 e votave pezullon Kryesin e degës dhe formon Këshillin Organizativ për organizimin e Kuvendit të ri të degës.

Për të gjithë të pezulluarit apo të shkarkuarit nga detyra, aktivi ku ata bëjnë pjesë ka të drejtë që, me nismën e vet, ta marrë në shqyrtim rastin dhe të shprehet deri për përjashtim nga PD-ja në qoftë se vërtetohet një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 14 të këtij Statuti.

Për të gjitha rastet e marrjes së masave disiplinore mbahen shënimet në regjistrat përkatës, që ruhen pranë kryesive të degëve ose pranë Kryesisë së PD-së.

Kapitulli i VII

Funksionimi dhe dokumentacioni i PD-së

Neni 60

Të gjitha njësitë e PD-së organizojnë mbledhje të rregullta periodike dhe mbledhje të radhës, në të cilat diskutohen probleme politike dhe merren vendime.

Mbledhjet mund të bëhen me rend dite të vendosur paraprakisht ose edhe pa rend dite të përcaktuar, si dhe me ose pa raporte të përgatitura më parë. Kur është vendosur se është e domosdoshme të përgatiten materiale paraprake, drejtuesit marrin masat e duhura.

Diskutimet në mbledhje janë të lira, por pjesëmarrësit mund të përcaktojnë rregulla të përshtatshme për mbarëvajtjen e debatit. Kritika është e lirë brenda normave të mirësjelljes dhe të disiplinës.

Neni 61

Zhvillimet e mbledhjeve pasqyrohen në procesverbale përkatëse që duhet të jenë të qarta dhe të përmbajnë sugjerimet, propozimet, kritikat, konkluzionet dhe vendimet, duke mos përfshirë çdo gjë që thuhet në mbledhje. Çdo anëtar i Kryesisë ka të drejtë të saktësojë thëniet e tij para se të mbyllet procesverbali; procesverbali nënshkruhet nga personi i ngarkuar për këtë punë. Procesverbalet ruhen për një afat 5 vjeçar.

Neni 62

Çdo degë bën listën e anëtarëve të saj dhe plotëson formularët sipas modelit të miratuar nga Kryesia e PD-së. Formularët depozitohen në Kryesinë e degës. Lista e formularëve me anëtarët e PD-së ruhet në arkivin e Kryesisë së PD-së.

Neni 63

Kryesia e PD-së mban regjistra të rregullt të gjithë të zgjedhurve në forumet qendrore të PD-së. Kryesitë e Degëve mbajnë evidencën përkatëse për të zgjedhurit në degë.

Neni 64

Çdo anëtarë i PD-së pajiset me librezë anëtarësie.

Libreza e anëtarit duhet të ketë në syprinë emblemën e PD-së, ndërsa

brenda saj: emrin, emrin e prindit dhe mbiemrin, vendlindjen, vendin e banimit, moshën dhe datën e pranimit në PD.

Kapitulli VIII

Të hyrat dhe pasuritë e PD-së

Neni 65

PD-ja i siguron mjetet financiare dhe pasurore për të zhvilluar veprimtarinë e saj nga burimet ligjore, si vijon:

- Të hyrat nga detyrimet e anëtarësisë që vendosen në përputhje me mundësitë e kategorive të ndryshme të anëtarëve, në vend dhe jashtë tij;

- Kontributet vullnetare të anëtarëve dhe të simpatizantëve të PD-së;

- Të hyrat që i takojnë nga buxheti i shtetit;

- Dhuratat nga organizmat partiake, shoqërore, persona juridiko e privatë, brenda e jashtë vendit, në pajtim me ligjin.

Neni 66

PD-a nuk pranon dhurata ose ndihmë financiare e materiale nga shoqata, apo persona fizikë e juridikë, të cilët janë në kundërshtim me programin dhe parimet e partisë së Drejtësisë.

Neni 67

Dhuratat që i jepen PD-së përdoren vetëm për veprimtari të PD-së dhe në asnjë rast për nevoja personale, me përjashtim të rasteve kur, me vendim të posaçëm, u jepet ndihmë anëtarëve të PD-së në rast fatkeqësish. Vendimi përkatës mund të merret nga Kryesia e PD-së.

Neni 68

Të ardhurat e PD-së administrohen sipas rregullores që e miraton Kryesia e PD-së.

Zbatues i planit financiar është Kryetari ose personi i autorizuar nga ana e Kryetarit, në pajtim me ligjin.

Mbikëqyrës për çështjet financiare në PD është Kryetari i Komisionit për Kontrollimin e Veprimtarisë Financiare.

Neni 69

Planifikimin e përgjithshëm të të ardhurave e të shpenzimeve si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre e miraton Kryesia e PD-së.

Kapitulli IX

Dispozita përfundimtare

Neni 70

Kur për shkaqe statutore lirohet vendi në Kryesinë e degës apo Kryesin e PD-së, ai plotësohet me kandidat tjetër të miratuar nga Kryesia e degës apo Kryesia e PD-së, gjë për të cilën mund të përdoret edhe metoda e kooptimit.

Për ndryshimet e bëra njoftohet Kryesia e PD-së ose Këshilli Drejtues.

Neni 71

PD nuk krijon mekanizma të tjerë, gjysmë të pavarur dhe jostatutorë.

PD mund të themelojë mediume elektronike dhe të shkruara, në përputhje me ligjin.

Organet e propagandës dhe shtypi i PD-së i përgjigjen Kryesisë së PD-së dhe funksionojnë në pajtim me ligjet në fuqi, duke përfshirë shpenzimet dhe përfitimet financiare.

Neni 72

Ky Statut është dokument për përdorim të brendshëm partiak dhe njëkohësisht është në dispozicion të opinionit të gjerë.

Neni 73

PD-ja është e hapur në gjithë veprimtarinë e saj dhe nuk zhvillon asnjë veprimtari të fshehtë e të ndaluar nga ligji i vendit dhe ndërkombëtar. Anëtarët e saj duhet të jenë të kujdesshëm për të mos bërë publike veprimet e taktikat e veprimtarisë politike të PD-së, për aq kohë sa mendohet se ato mund të mbeten çështje të saj të brendshme dhe derisa nuk janë shpallur si qëndrime zyrtare.

Neni 74

Normat e vendosura në këtë Statut duhet të njihen e të zbatohen me korrektësi nga të gjithë anëtarët e PD-së. Ato mund të përsosen në rrugë demokratike me sugjerimet e anëtarëve të instancave të ndryshme të PD-së, duke filluar nga Kuvendi i PD-së. Në periudhën midis dy kuvendeve, Këshilli Drejtues dhe Kryesia e PD-së bëjnë interpretime të normave statutore kur dalin probleme gjatë zbatimit të tyre, por nuk kanë të drejtë të ndryshojnë thelbin e normave.

Këto interpretime e sqarime mund të bëhen me gojë për raste të rralla dhe me shkrim kur ka shqetësime të hapura.

Neni 75

Procedura për shpërbërjen e PD-së mund të fillojë me propozimin e më së paku 2/3 të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Këshilli Drejtues e shqyrton propozimin për shpërbërjen e PD-së dhe ia rekomandon Kuvendit të jashtëzakonshëm, që me shumicë prej 2/3 të votave vendos për shpërbërjen definitive të PD-së.

Me vendimin mbi shpërbërjen e PD-së vendoset njëherësh edhe për pasurinë e PD-së dhe shlyerjen e borxheve eventuale.

Pasuria e PD-së mund t’u dedikohet enteve që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara apo institucioneve që merren me veprimtari të traditës shpirtërore.

PD-ja mund të shpërbëhet vetëm atëherë kur nuk ka obligime ndaj institucioneve kompetente, personave juridikë dhe atyre fizikë.

Neni 76

Ndryshimet dhe plotësimet e Statutit bëhen sipas procedurës për nxjerrjen e tij.

Për këtë qëllim, Kryesia e PD-së formon komisionin pesë (5) anëtarësh. Kryesia e PD-së shqyrton propozimin e komisionit dhe merr vendim përkitazi me këtë çështje me 2/3 e anëtarëve të pranishëm. Propozimi i miratuar i paraqitet Këshillit Drejtues.

Këshilli Drejtues vendos me 2/3 e anëtarëve të pranishëm dhe e përcakton propozimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Statutit për Kuvend.

Ndryshimet dhe plotësimet e Statutit hyjnë në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi.

Kryetari i Partisë së Drejtësisë                                                           
Ferid Agani



[1] Në tërë tekstin e këtij Statuti, referimi për gjininë mashkullore nënkupton edhe gjininë femërore.

 

Your are currently browsing this site with Internet Explorer 6 (IE6).

Your current web browser must be updated to version 7 of Internet Explorer (IE7) to take advantage of all of template's capabilities.

Why should I upgrade to Internet Explorer 7? Microsoft has redesigned Internet Explorer from the ground up, with better security, new capabilities, and a whole new interface. Many changes resulted from the feedback of millions of users who tested prerelease versions of the new browser. The most compelling reason to upgrade is the improved security. The Internet of today is not the Internet of five years ago. There are dangers that simply didn't exist back in 2001, when Internet Explorer 6 was released to the world. Internet Explorer 7 makes surfing the web fundamentally safer by offering greater protection against viruses, spyware, and other online risks.

Get free downloads for Internet Explorer 7, including recommended updates as they become available. To download Internet Explorer 7 in the language of your choice, please visit the Internet Explorer 7 worldwide page.