Delegacioni i Partisë së Drejtësisë i kryesuar nga Dr. Ferid Agani qëndroi për vizitë zyrtare në Turqi

Me ftesën e Dr. Nureddin Nebati, zëvendës Kryetar dhe Hamid ben Abdullah Al Ahmar, Kryetar i Lidhjes “Parlamentarët për Al Quds”, delegacioni i Partisë së Drejtësisë i kryesuar nga Dr. Ferid Agani, kryetar, mori pjesë në Konferencën e dytë të këtij asociacioni që u mbajt në Stamboll prej 13 deri me 15 Dhjetor 2018 në prezencën e Presidentit të Republikës së Turqisë, Shkëlqesisë së tij Rexhep Tajip Erdogan dhe nën patronatin e Kryetarit të Kuvendit të Madh të Republikës së Turqisë Shkëlqesisë së tij Binali Yildirim. Në Konferencë morën pjesë mbi 500 deputet të parlamenteve të 74 shteteve.

Gjatë punimeve të saja u theksua rëndësia e gjetjes së zgjidhjes së drejtë dhe të shpejtë të problemit madhor humanitar të popullit palestinez, me implikime të gjëra për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. 

Në fjalën e tij Kryetari i Partisë së Drejtësisë Dr. Ferid Agani falënderoi organizatorët për ftesën dhe theksoi përkushtimin e përhershëm dhe të vendosur të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës si shtet me shumicë muslimane me orientime të qarta dhe të vendosura euro perëndimore që synon anëtarësimin e shpejtë në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO, për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjes së drejtë për çështjen e Palestinës bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe dokumentet relevante ndërkombëtare të miratuara paraprakisht për këtë qëllim, si dhe për ndërprerjen sa më të shpejtë të krizës së rëndë humanitare me të cilën çdo ditë është duke u ballafaquar popullata civile Palestineze. 

Njëkohësisht, në takimet e shumta bilaterale kryetari Agani kërkoi nga deputetët e parlamenteve të shteteve pjesëmarrëse në Konferencë që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, që sa më  shpejtë ta bëjnë këtë, mbështetur në faktet se Kosova aktualisht është e njohur nga 114 shtete të botës, dhe se Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka nxjerr vendim se shpallja e pavarësisë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Gjatë vizitës në Republikën e Turqisë, delegacioni i Partisë së Drejtësisë, realizoi takime zyrtare me Nënkryetarin dhe Kryesuesin për marrëdhënie ndërkombëtare të degës së Stambollit të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) z. Melih Ecertash dhe Kryetarin e degës së AKP për Bashkinë e Bajram Pashës Z. Ersin Sacli.

Gjatë takimeve u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërpartiak dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy partive. Gjatë vizitës delegacioni realizoi takim edhe me mikun e kamotshëm të Kosovës, Kryetarin e Bashkisë së Bajram Pashës Z. Atila Aydinar, bashki kjo ku shumica e qytetarëve janë me prejardhje nga Kosova dhe trojet e tjera Shqiptare.